Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish të enjten në ora 12:00, në përpjekjen e dytë për betimin e deputetëve të legjislaturës së nëntë dhe për zgjedhjen e e kryetarit dhe Kryesisë së re.
Partitë opozitare i qëndrojnë pozicioneve të tyre që Albin Kurti dhe kabineti qeveritar duhet të japin dorëheqje para se të bëjnë betimin si deputetë të Kuvendit. Edhe juristët kërkojnë që kryeministri e ministrat në detyrë duhet të bëjnë aktin formal të dorëheqjes.
Avokati Valdet Hoxha shprehet për A2: “Kjo rrugë është e vetmja që do të duhet të ndiqet sepse nuk mund të kemi dualizim të funksioneve, pra nuk mund të jesh edhe deputet, edhe anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, prandaj çdo devijim nga kjo anë formale, procedurale, nuk është në harmoni me ligjin për qeveri, nuk është në harmoni me frymën e Kushtetutës së vendit”.
Organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit kërkojnë që ky institucion të funksionalizohet sa më parë për shkak se është jetik për proceset që e presin vendin. Gjithashtu, thonë se pjesëmarrja dhe angazhimi i deputetëve në vazhdimin e seancës është obligim formal e kushtetues, por edhe test politik për seriozitetin e legjislaturës së re.
Instituti Demokratik i Kosovës shprehet: “Përpjekjet potenciale për ta zvarritur procesin, përfshirë vonesat apo mungesat, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me mandatin që qytetarët u kanë besuar përfaqësuesve të tyre, si dhe e shtyjnë Kuvendin drejt një krize të panevojshme funksionaliteti”.
Kurti dhe ministrat që janë zgjedhur deputetë arsyetohen se ata konsiderohen si të dorëhequr në momentin kur atyre iu ka skaduar mandati 4-vjeçar javë më parë.
“Çdo shkresë tjetër joformale nuk e ka efektin e duhur dhe siç po e shohim kemi një akt joformal të dorëheqjes, në të njëjtën kohë moskonstituim të Kuvendit dhe vazhdim të punës së qeverisë për të nxjerrë vendime dhe në të ardhmen e afërt deri në konstituimin e qeverisë apo formimin e qeverisë e re”, thekson Hoxha.
Kuvendi dështoi të konstituohet të martën, pasi pika e parë e rendit të ditës, që kishte të bënte me verifikimin e kuorumit dhe verifikimin e mandateve, nuk kaloi me shumicën e thjeshtë të votave. (A2 Televizion)