Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur thellësisht të shqetësuara nga moscertifikimi i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë, përcjell A2.
“Jemi të shqetësuar nga përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kryer nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta dhe i hapin derën ndikimit politik subjektiv për procesin zgjedhor”, thuhet në reagim.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”. (A2 Televizion)