Deputetët opozitarë u mblodhën sërish në Kuvend në një seancë të jashtëzakonshme ku u debatua për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ashtu sikurse në dy seancat e kaluara, deputetët e mazhorancës nuk ishin të pranishëm, raporton A2.
Megjithatë të mërkurën në ulëset e tyre u vendosen kapele të zeza, një aksion simbolik nga PDK pas publikimit të disa bisedave ku koordinatorja e komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihali, i kërkonte ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës ta takonte duke vendosur një kapele.
“Këta kanë vendosur që përmes këtyre kapelave të mbulojnë krimin në faljen e borxheve të ujit që shkon rreth 20 milionë euro, 11 të dokumentuara dhe 9 të tjera të cilat janë në dokumentim e sipër”, tha shef i GP të PDK, Abelard Tahiri, shkruan A2.
Lidhja Demokratike akuzoi Qeverinë se ka zhytur duart thellë në korrupsion dhe për këtë do të japë përgjegjësi.
“LDK do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucionalë ligjorë dhe kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit e korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë qeveri”, tha Armend Zemaj, deputet i LDK
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi se strukturat parapolitike të Vetëvendosjes po vendosin për paratë e taksapaguesve.
“Para katër viteve ka dhënë platformë politike vetëm për me marrë besimin dhe atë për të mos e kthyer në të mirën e shtetit por në të mirë partiake”, u shpreh shefi i grupit të AAK Besnik Tahiri, përcjell A2.
utetët opozitarë shprehën pakënaqësi që Radio Televizioni i Kosovës nuk po e transmetonte seancën në programin e tij të parë prandaj ndërprenë seancën dhe i çuan fjalimet tek dyert e mediumit.
Ndryshe, prokuroria ka filluar hetimet në lidhje me shlyerjen e borxheve të kompanie ambalazhuese të ujit dhe ka arrestuar dy zyrtarë të ministrisë që drejtohet nga Liburn Aliu. (A2 Televizion)