Një takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk pritet të ndodhë shpejt, shkruan A2 CNN.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk ka asgjë konkrete për një tryezë të mundshme mes Kurtit dhe Vuçiçit.
“Nuk ka asnjë njoftim për ndonjë lloj takimi të ardhshëm në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano në një konferncë për mediat në Bruksel.
Raundi i fundit i dialogut u mbajt në mes të shtatorit, ku dy vendet u përfaqësuan nga kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.
Zëvendëskryeministri Bislimi deklaroi atëherë se letra e ish-kryeministres serbe Ana Brnabiç që kundërshtonte zbatimin e disa pikave të Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte tërhequr dhe se takimi trepalësh në Bruksel nuk kishte ndodhur për shkak se Serbia e kishte “kushtëzuar agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”. (A2 Televizion)