Mbi 81% e votave për Kurtin, sa mandate merr Vetëvendosje me diasporën

Nga Ideal Gola
27 Shkurt 2025, 21:10 | Politikë

Numërimi i votave të para të diasporës ka vënë në pah një diferencë të madhe të Lëvizjes Vetëvendosje me partitë e tjera. Nga numërimi i 19 vendvotimeve nga 43 sa janë gjithsej në 30 përfaqësi diplomatike, mbi 81% të votave shkojnë për partinë e Albin Kurtit.

Gjatë së mërkurës, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që të pritet numërimi i votave të diasporës para se të diskutohet për formimin e institucioneve të reja, pasi votën nga jashtë e sheh si përcaktuese për t’i dhënë mandatet e nevojshme për të udhëhequr e vetme, shkruan A2 CNN.

Pritjet nga partia e Kurtit që t’i marri 4 deputetë nga diaspora dhe t’i shtohen 47 mandateve sa ka aktualisht duket vështirë e realizueshme.

“Në fund do t'i shtojnë tek Lëvizja Vetëvendosje, dy maksimumi tre deputetë që i bjen në fund mund t’i ketë 49 ose 50 deputetë me të cilët do të tentojë ta formojë qeverinë, por patjetër i duhen edhe deputetë të tjerë, kështu që mbërritja e numrit 51 është pak e vështirë”, tha Kujtim Zebica, analist politik.

“Rreth asaj se sa deputetë mund t’i ketë Lëvizja Vetëvendoeje unë pres që t’i shtohen dy më së shumti, për shkak se te pjesa e votave përmes postës pres të kemi një rezultat ndoshta më ndryshe se sa trendi që është duke u ndjekur nga votimet në ambasada dhe konsullata”, u shpreh Qëndrim Hoxha, analist politik.

Nga numërimi në qendrat e votimit në Londër, Paris, Romë, Nju Jork, Oslo, Toronto, Hamburg, Hagë e Kopenhagë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar me mbi 80%. Fitore ka shënuar edhe në qendrat e tjera por me përqindje pak më të ulët.

Ballafaqimi me Serbinë, në temat si veriu apo dialogu, shihen si arsye pse Kurti gëzon mbështetje më të madhe nga diaspora, por edhe për faktin se ka punuar më gjatë se të tjerët me votuesin potencial të diasporës.

“Ka punuar më shumë me mërgatën, është munduar t’i krijojë disa lehtësira, ndoshta i cilësojnë si veprime populiste, disa si veprime të duhura, po pavarësisht ndikimi i Lëvizjes Vetëvendosje tek diaspora ka marr përkrahje”, tha Hoxha.

“Ata nuk janë të ndikuar nga politika ditore, nga interesat e punësimit, ose interesat e tjera, ata e shohin Kosovën si tërësi dhe nëse e gjykojmë në këtë aspekt Vetëvendosje ka pasur suksese në aspektin e bërjes së Kosovës si tërësi, ruajtjes së integritetit territorial, por shihet edhe si më nacionaliste nga votuesit”, u shpreh Zubica.

Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votim fizik të diasporës në përfaqësitë diplomatike të shtetit në botë. Këtë të drejtë e shfrytëzuan mbi 15 mijë persona. Ndërsa rreth 69 mijë të tjerë votuan përmes postës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos