Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dështoi të mbante mbledhjen e paralajmëruar për të enjten në mungesë kuorumi. Tre prej mungesave ishin të njoftuara paraprakisht, ndërsa të tjerët nuk kishin njoftuar.
Nga 11 anëtarë, të pranishëm ishin vetëm 3, ndërsa kuorumi kërkon pjesëmarrjen e shtatë anëtarëve, shkruan A2.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ, u shpreh: “Tashmë kanë kaluar 20 minuta prej kur është caktuar mbledhja dhe mund të konstatojmë se nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj e mbledhje, prandaj shtyhet kjo mbledhje”.
Për Lëvizjen Vetëvendosje, të dy anëtarët e së cilës ishin të pranishëm, mungesa ishte për të pamundësuar vazhdimin e afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Vetëvendosje kishte kërkuar që afati të shtyhet për tri ditë, deri të dielën, dhe kishte ardhur në rend dite për votim edhe nga sekretariati i KQZ-së.
Alban Krasniqi, anëtar i KQZ nga LVV, theksoi: “Mungesa e kolegëve këtu, edhe të PDK, edhe të LDK dhe të Aleancës lidhet pikërisht me këtë çështje, pra ata edhe më herët e kanë shfaqur kundërshtinë e tyre për çfarëdo shtyrje të afateve apo edhe veprime që KQZ duhet të ndërmerr në raport me përfshrijen sa më të madhe të mërgatës në jetën publike edhe në procesin zgjedhor”.
Anëtarët e LVV kërkuan që të bëhet një zgjidhje tjetër për shtyrjen e afatit për regjistrim të mërgatës për votim pasi ka rritje të interesimit në ditët e fundit.
“Janë aprovuar si votues jashtë vendit 83,446 votues nga mërgata. 8,979 kërkesa janë në pritje, pra që i bie si shifër e përafërt janë diku 92 mijë qytetarë deri më tani të cilët konsiderohen si votues jashtë vendit dhe ky trend është në rritje”, shtoi Krasniqi.
Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte nisur më 29 gusht dhe përfundon në mesnatë.
Në vitin 2021 ishin regjistruar 102 mijë votues nga jashtë, por një përqindje e lartë e votive ishin shpallur të pavlefshme. (A2 Televizion)