Ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gramos Agusholli, është ndaluar paraditen e sotme nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë, teksa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.
Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas të cilës menjëherë pas ndalimit, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka informuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Beograd.
Në të njëjtën kohë, MPJD ka informuar edhe përfaqësitë diplomatike të këtyre shteteve dhe Zyrën e BE-së në Kosovë. Ministria ka nisur procedurat për sigurimin e informacioneve të plota dhe zyrtare rreth ndalimit të Agushollit.
Në reagimin e saj, MPJD e ka cilësuar ndalimin si një veprim arbitrar dhe represiv, që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ajo i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të reagojë urgjentisht dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të ish-deputetit.
“Praktika të tilla përbëjnë shkelje të rëndë të parimeve themelore të lirisë së lëvizjes dhe janë të papranueshme për një shtet që aspiron integrimin evropian,” thuhet në reagimin e MPJD-së.
Ministria ka siguruar se do të mbajë të informuar opinionin dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast. (A2 Televizion)