Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar pasojat juridike nëse deputetët nuk konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, afat i paraparë në aktgjykimin e 26 qershorit të Kushtetueses.
Në një konferencë për media të martën, presidentja tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në vazhdimin e afatit të mbetur prej katër ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Osmani tha se nëse arrihet marrëveshja për konstituimin e Kuvendit, ajo do të tërheqë kërkesën e dorëzuar në kushtetuese.
“Bashkë me këtë kërkesë kemi paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30-ditësh. Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në një mënyrë kundërkushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme. Kërkesa pra bëhet me qëllim që të parandalohet dëmi i pariparueshëm dhe të mbrohet interesi publik, dy kritere këto që duhet të plotësohen për çdo masë të përkohshme”.
Sipas Osmanit, për aq kohë sa Kuvendi vazhdon të mos konstituohet, Qeveria vazhdon të funksionojë me kompetenca të kufizuara teksa tha se edhe institucionet kyçe, përfshirë edhe Presidencën, nuk mund të ushtrojnë kompetencat për shkak të mungesës së Kuvendit. (A2 Televizion)