"Vuçiç po nxit tensione në rajon", Kurti mesazh qytetarëve: Shmangni udhëtimet përmes Serbisë

Nga A2 CNN
21 Korrik 2025, 16:05 | Politikë

"Vuçiç po nxit tensione në rajon", Kurti mesazh

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për përpjekje të qëllimshme për destabilizimin e rajonit dhe nxitjen e urrejtjes ndëretnike. Në një konferencë për media, ai komentoi arrestimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, i cili dyshohet për veprime që synojnë nxitjen e përçarjes dhe intolerancës etnike në Kosovë.

 “Sundimi i rendit dhe ligjit është themeli i shtetit tonë dhe ai nuk bën dallime sipas etnisë apo pozitës. Çdokush që e shkel ligjin do të përballet me drejtësinë”, u shpreh Kurti.

Ai konfirmoi se rasti i Popoviçit është në trajtim nga organet kompetente të drejtësisë dhe lidhet me veprime që, sipas tij, synojnë të godasin vlerat themelore të popullit shqiptar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Sipas Kurtit, deklaratat e Popoviçit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë të izoluara, por pjesë e një strategjie më të gjerë të Beogradit zyrtar.

“Popoviç dhe Vuçiç janë dy fytyra të së njëjtës politikë përçarëse. Këto janë përpjekje të vazhdueshme për të destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Ai shtoi se Serbia nuk ka kërkuar ende falje për krimet e luftës në Kosovë dhe përkundrazi, po përpiqet t’i relativizojë ato përmes individëve si Popoviç.

Kryeministri në detyrë reagoi gjithashtu ndaj deklaratave të bëra mbrëmjen e djeshme nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke i cilësuar si të papranueshme dhe kërcënuese për paqen në rajon.

“Kur komandanti suprem i një ushtrie lëshon deklarata nxitëse dhe kërcënuese, kjo nuk është më mendim individual, por politikë shtetërore që synon të prishë stabilitetin rajonal”, deklaroi Kurti.

Në vijim të tensioneve në rritje, Kurti paralajmëroi për rrezik të ndalimeve arbitrare nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë nëpër territorin serb.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt Serbisë. Kemi indikacione të qarta për ndalime të pajustifikuara dhe provokime të mundshme”, tha ai.

Kurti kërkoi nga qytetarët maturi dhe bashkëpunim me institucionet në këto momente të ndjeshme politike dhe sigurie.

“Qytetarët tanë duhet të qëndrojnë të bashkuar, të qetë dhe të matur. Bashkë mund t’i përballojmë çdo provokim dhe kërcënim që vjen nga jashtë”, theksoi ai.

Në fund, Kurti i bëri thirrje Bashkimit Evropian, NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë ndaj, siç i quajti ai, “retorikës destabilizuese të Vuçiçit”.

“Këto nuk janë deklarata politike të zakonshme. Kemi të bëjmë me një fushatë të organizuar dhe të rrezikshme që kërcënon paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin”, përfundoi Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos