Avokati Arianit Koci ka prerë flokët para objektit të Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste për moskonstituimin e Kuvendit edhe pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Koci tha se krizës politike i ka ardhur fundi, pasi, sipas tij, po rrezikohet shtetësia e Kosovës. Ai e quajti këtë një akt simbolik, që i dedikohet edhe qytetarëve, të cilët sipas tij, kanë rënë në gjumë dhe janë në një “depresion kolektiv”.
“Është një akt simbolik, sepse i ka ardhur fundi. Po na rrezikohet shtetësia e Kosovës. Miqtë dhe armiqtë tanë po binden se ne nuk jemi të aftë për të mbajtur një shtet. Kërkoj që menjëherë sot të formohet Kuvendi. Kjo protestë nuk është vetëm për politikanët, por edhe për krejt popullin që ka rënë në gjumë,” tha ai.
Avokati Koci ka protestuar edhe më herët para objektit të Kuvendit, në shenjë pakënaqësie me krizën politike. Në një rast të mëparshëm, ai kishte sjellë katër gomarë në hyrje të legjislativit, si formë ironike ndaj bllokadës institucionale. (A2 Televizion)