Rasti “Popoviç”, Kurti: Vuçiç si Millosheviçi, të vendosur të ruajmë sovranitetin

Nga Ideal Gola
21 Korrik 2025, 20:09 | Politikë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç janë kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme.

Të dielën, Vuçic paralajmëroi “pasoja të paparashikueshme” pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji për zyrtarin e së ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviç.

Kurti, në një konferencë për media pasditen e së hënës, tha se rasti i Popoviç po trajtohet me profesionalizëm nga institucionet e drejtësisë dhe në përputhje me standardet më të mira për të drejtat e njeriut.

“Duke sulmuar vlerën më të shenjtë të shqiptarëve që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës përmes deklarimeve të tilla qartësisht të sinkronizuara ata kanë për qëllim nxitjen dhe provokimin e tensioneve. Deklaratat e tilla përbëjnë një kërëcnim të drejtëpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kurti.

Kurti shtoi se kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit kjo nuk mund të konsiderohet si qëndrim individual por si politikë shtetërore.

“Ne nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiçit por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin, rendin dhe demokracinë tonë. Vuçiç me gjuhën e Millosheviç mund të flasë dhe të veprojë në Serbi, por ka kaluar njëherë e mirë koha kur këtë mund ta bëjë në Kosovë dhe ajo kohë nuk do të kthehet kurrë më”, tha kryeministri në detyrë i Kosovës.

Kurti i bëri thirrje Bashkimit Europian dhe NATO-s që të reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiçit të cilat sipas tij nuk janë deklarime politike por pjesë e një fushate të mirëorganizuar për destabilizmin e Kosovës.

“Edhe një herë rikonfirmojmë se karshi paparikueshmërisë së kërcënimeve të Vuçiçit, Republika e Kosovës është e vendosur për të garantuar dhe ruajtur sovranitetin shtëteror, integritetin territorial, rendin juridiko-kushtetues, paqen dhe sigurinë”, tha Kurti.

Në fund, Kurti iu kërkoi të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe.

Gjithashtu, ai i ftoi qytetarët për maturi, bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës dhe ruajtje të unitetit dhe të qetësisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos