"Nuk e donim këtë gjë" Haxhiu: Kosova mban zgjedhjet më 7 qershor

Nga Erjon Dervishi
30 Prill 2026, 19:23 | Politikë

Kosova do të mbajë zgjedhjet e reja më 7 qershor. Kështu ka vendosur ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, të enjten pas takimit me partitë politike. Këto do të jenë zgjedhjet e tretat brenda rreth një viti e gjysmë dhe pritet ta thellojnë krizën politike dhe institucionale.

“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin të mbahen më 7 qershor. Kjo nuk është ajo që qytetarët kanë dashur, pasi ata nga ne presin për bashkim kur bëhet fjalë për interesat e vendit dhe institucione stabile dhe jo e kundërta e saj. Po vonohemi për shumë reforma pa asnjë nevojë... Për muaj me radhë janë bërë përpjekje që vendi të ketë institucione funksionale dhe që proceset kushtetuese të përmbyllen brenda Kuvendit. Megjithatë në demokraci kur rruga institucionale bllokohet, fjala i kthehet qytetarëve”.

Ajo tha se kjo datë është vendosur edhe pas konsultave me KQZ-në.

“Qëllimisht kam pritur takimin me kryesuesin e KQZ-së. Është e natyrshme që KQZ-së i duhet më shumë kohë për të organizuar zgjedhjet... Në zgjedhje të parakohshme, procedurat shkurtohen dhe në këtë drejtim sa më shumë kohë që ka KQZ-ja, aq më shumë qytetarët dhe mërgata jonë do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre”, theksoi Haxhiu.

E pyetur se a do të jetë në listë të LVV-së derisa është në funksion të u.d. presidentit, ajo tha se për këtë do të vendosë kryesia e partisë, mirëpo shtoi se do të jetë e kujdesshme dhe do të respektojë ligjin dhe Kushtetutën.

“A do të futem në garë për këtë vendos kryesia e LVV-së dhe do të përpiqem vazhdimisht të jem e kujdesshme dhe të veproj në përputhje me legjislacionin dhe Kushtetutën”, tha Haxhiu.

Ajo bëri të ditur se ditët në vijim do të takohet edhe me përfaqësuesit e BE-së për t’u kërkuar që misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë t’i vëzhgojë zgjedhjet e 7 qershorit.

“Kërkojmë sërish që misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të jetë për të vëzhguar zgjedhjet e 7 qershorit”, tha ai.

Kosova po shkon në zgjedhje për shkak se Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos