“Nuk jemi gati ta njohim Kosovën”, Vuçiç: As 5 shtetet mosnjohëse të BE-së nuk do ta bëjnë

Nga Rosalba Bejdo
13 Qershor 2025, 20:58 | Politikë

Beogradi nuk është gati të njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu u shpreh Presidenti serb Aleksandër Vuçiç gjatë Forumit Globex në Pragë.

Në fjalën e tij, ai tha se hyrja e Serbisë në BE është kryesisht çështje politike e jo meritë, dhe se pengesa kryesore është Kosova, shkruan A2.

“Kjo ka të bëjë me Kosovën, siç e dini. Ne i përmbahemi Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244, e cila thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Beogradi nuk është gati ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç, teksa theksoi se as Bratisllava, Bukureshti, Athina, Madridi, e Nikosia nuk janë të gatshme ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Vuçiç u pyet në Pragë edhe për faktin nëse Moska po ushtron presion ndaj Serbisë për mbështetjen ndaj Putinit. Ai theksoi se Serbia nuk do të jetë kurrë kundër Rusisë dhe se rruga europiane e vendit nuk mund të bazohet në këtë fakt.  

Vuçiç shtoi gjithashtu se Serbia ka “bashkëpunim shumë të mirë edhe me Ukrainën” , shtet i cili, siç kujtoi, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos