Albin Kurti kujton 20 vjetorin e themelimit të partisë “Jo negociata, Vetëvendosje!”. Në 20 vjetorin e themelimit të Vetëvendosjes, kreu i partisë dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kujtuar parrullën e shkruar në ndërtesën e UNMIK, me të cilën kundërshtuan negociatat me Serbinë.
“Saktësisht para 20 vjetëve, përafërsisht në këtë orë, aksioni ka qenë i përfunduar. E kemi shkruar “Jo negociata, Vetëvendosje!” te muri i UNMIK-ut ku është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sot. Dhe në mënyrë që ta shkruajmë me sukses “Jo negociata, Vetëvendosje!”, e kemi shkruar me sprej me 24 aktivistë sepse aq shenja janë. Secili aktivist e ka ditur se në cilin vend do ta shkruajë shkronjën e vet dhe ata që shikonin në anën tjetër të rrugës “Agim Ramadani” e shihnin tablonë e plotë me parullën “Jo negociata, Vetëvendosje!” në murin e UNMIK-ut. Një shkronjë shkruhej për 10 sekonda, po ta shkruante një person atëherë do t’i duheshin katër minuta, rrjedhimisht nuk do ta shkruante, sepse do të ndërhynte policia. Ju e dini që stacioni policor qendror aty është shumë afër dhe e vetmja mënyrë që të shkruhet në mënyrë të suksesshme parulla ka qenë një shkronjë për aktivist”, tha Kurti.
Ai tha se sot Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 60 mijë anëtarë, 10 për qind prej tyre nga diaspora. Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, pohoi se themelimi i kësaj partie ka qenë domosdoshmëri dhe nevojë.
“Ka qenë domosdoshmëri, ka qenë nevojë themelimi i Vetëvendosjes nga vetë populli i Kosovës. Në mëngjes u zgjova duke menduar se çfarë kanë qenë ato pikat tona le të themi kundërshtuese, të rëndësishme, ato që kemi dashur me i ndalë ne, përgjatë gjithë karrierës tonë 20-vjeçare. Unë i grumbullova 10 pika. E para e kemi kundërshtuar UNMIK, duhet të largohet prej Kosovës, kemi kundërshtuar kontradiktat false edhe kemi dhënë gjithmonë alternativën çka është zëvendësimi për këtë. Ne kemi thënë që UNMIK-u nuk është bashkësia ndërkombëtare, bashkësia ndërkombëtare janë shteti që na ndihmojnë. Por, UNMIK-u duhet të shkojë dhe Kosova duhet të shkojë në OKB. Ne kemi qenë protektorat ndërkombëtar. Protektorati duhet të përfundojë e kur je ti shtet bën ulësen në OKB. E dyta, ne i kemi kundërshtuar privatizimet e korruptuara të pronës publike”, deklaroi ai.
Kryetarja e gruas në Lëvizjen Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se kjo parti e ka trajtuar politikën si mjet për ndërgjegjësim, ndërsa sipas anëtarit të kryesisë, Xhelal Sveçla, Lëvizja Vetëvendosje ka thyer shumë mite. (A2 Televizion)