Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti i kërkoi edhe njëherë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të hapin krahun dhe të lejojnë partitë e opozitës që të krijojnë një qeveri të re, që i jep fund ngërçit politik disajavor.
I ftuar në Ditarin e Kosovës me gazetarin Xhevair Qardaku, Pajazi u shpreh se partitë e opozitës mund ta formojnë qeverinë e re bashkë me pakicat, por nuk tha një përgjigje të qartë nëse do të ketë një ftesë dhe për Listën Serbe.
“Ne dëshirojmë që qeverinë ta bëjnë partitë që ishin në opozitë, kjo edhe sepse VV nuk po e bën. Kjo do të ishte dhe zgjidhja e duhur dhe për të dalë nga kjo rrëmujë që e ka sjellë vendin në një kolaps. Nuk është në dorën që kjo të përfshihet partia e parë ose jo. Ajo ka në dorë të krijojë qeverinë dhe me pakica. Por fakti që ajo e ka humbur komunikimin normal është përgjegjësi e saj.
Nëse nuk mundet ta krijojë qeverinë, duhet të hapë rrugë. Nuk është e pamundur të ketë dhe qeveri teknike, por Kosova nuk është në gjendje lufte, jemi në demokraci parlamentare. Po bëjmë 3 muaj pa qeveri. I pari nuk mund të bllokojë situatën.
Pakica janë kategori kushtetuese dhe është pikërisht PDK ajo që ka jetësuar këto parime. Kemi qenë dhe dizenjues me partnerët për kushtetutën. Partia në pushtet ka alarmuar pakicat. Askush nuk mund të përjashtojë pakicat përfaqësuese. Ne nuk kemi detajuar gjë. Lista Serbe ka vite që është instrumentalizuar nga politika e Beogradit, ata vetë e kanë përjashtuar vetveten. Nuk kemi diskutuar si do përfaqësohen pakicat”, tha Pajaziti.
(A2 Televizion)