Ngërçi politik në Kosovë vijon të thellohet me partitë politike parlamentare që dështuan për të dymbëdhjetën herë të konstituojnë legjislaturën e nëntë. Vetëvendosje sërish këmbënguli në votim të fshehtë gjë që nuk pati kuorum për vendimmarrje pasi PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK kundërshtuan një proces të tillë duke mos e mundësuar ngritjen e komisionit.
“Tendenca imponuese e LVV mospajtimi i tyre me faktin se nuk kanë shumicë dhe nuk do të kenë shumicë parlamentare po e mban peng këtë proces dhe e ka lënë Kosovën pa institucione legjitime”, tha Memli Krasniqi.
Vetëvendosje pasi akuzoi partitë e tjera që po bllokojnë konstituimin e Kuvendit, hodhi poshtë edhe idenë e Lidhjes Demorkatike për një qeveri teknike.
“Dikush si Lumir Abdixhiku që në vazhdimësi ka thënë se nuk është i interesuar për një zgjidhje afatshkurt, por për një qeveri stabile që e çon mandatin deri në fund ishte pikërisht ai që e refuzoi këtë ftesë për një qeveri afatgjate dhe propozoi që të ketë një qeveri tranzicionale”, shprehet Hekuran Murati.
Në lidhje me idenë e Abdixhikut u shprehën të shqetësuar partitë që përfaqësojnë komunitetet pakicë si egjiptianët, boshnjakët, ashkalinjtë dhe turqit që i kanë premtuar votën e tyre Albin Kurtit. Sipas tyre, Abdixhiku dëshiron një zgjidhje një etnike që përfshin vetëm shqiptarët.
“Kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën e Republikës së Kosovës, nuk është frymën multietnike të Republikës së Kosovës dhe për këtë duhet të kemi një vërejtjeje të drejtpërdrejtë”, deklaron Elbert Krasniqi
Lidhja Demokratike mohoi se minoritetet janë përjashtuar pasi ata në mënyrë automatike bëhen pjesë e Qeverisë. LDK iu kërkoi pakicave të mos bëjnë betejë politike me ngërçin e krijuar.
“Në letër është e specifikuar një qeveri gjithëpërfshirëse, tranzicionale ku pakicat janë kategori kushtetuese. Komuniteti i pakicave kanë probleme mes vete siç ka probleme edhe komuniteti shqiptar. Ne jemi marrë me këtë çështje sepse ata janë kategori kushtetuese”, tha Hykmete Bajrami nga LDK.
Kuvendi do të tentojë sërish konstituimin mëngjesin e së premtes. (A2 Televizion)