Partia Demokratike e Kosovës ofron zgjidhjen e saj për krizën e thellë politike në vend. Pas mbledhjes së kryesisë, kjo forcë politike përmes një deklarate lëshon akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa shprehet e hapur ndaj propozimeve apo iniciativave që synojnë zgjidhjen e bllokadës në kuvend, duke iu referuar në këtë mënyrë idesë së shtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës tërthorazi.
“Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale. PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë”, tha Partia Demokratike e Kosovës, shkruan A2 CNN.
Në deklaratë, PDK-ja thekson se kjo qeveri do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe përmes listës së prioriteteve shtetërore, do ta kthenin vendin në rrugën e duhur të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik. Kjo forcë politike i bën thirrje Vetëvendosjes, siç thuhet, që të mos abuzojë dhe më tej me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, port ë pranojë realitetin politik të mungesës së numrave. (A2 Televizion)