“Mbledhja e nënshkrimeve për peticionin kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër, të cilin populli serb e percepton si simbol të imponimit, përçarjes dhe provokimit, ka përfunduar me sukses”. Kështu njofton me një deklaratë Lista Serbe, partia më e madhe e serbeve në veri të Kosovës.
Sipas saj, në 11 orë, 3,628 qytetarë mbështetën me nënshkrimet e tyre qëndrimin e qartë për të kundërshtuar vendimin e Prishtinës, që e quan arbitrar dhe të njëanshëm.
Sipas deklaratës, peticioni do t'u dorëzohet zyrtarisht në ditët në vijim përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it, misionit KFOR, EULEX, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe UNMIK-ut, nga të cilët, siç thuhet, kërkohet "një reagim urgjent dhe i qartë ndaj sjelljes së institucioneve në Prishtinë.
“Populli serb nuk është kundër zhvillimit dhe infrastrukturës, por është kundër vendimeve që merren pa përfshirjen e tij dhe kundër politikave që synojnë fshirjen e ekzistencës së tyre në këtë rajon”, njoftoi Lista Serbe. (A2 Televizion)