“Po cenohet demokracia”, ekspertët: Kriza politike, normaliteti i ri në Kosovë

Nga Ideal Gola
26 Qershor 2025, 20:36 | Politikë

Kriza politike është kthyer në normalitet në Kosovë. Deputetët mblidhen çdo 48 orë pa shpresa se do të mund të konstituojnë Kuvendin që ka nisur që në prill. Partitë politike kritikohen për mungesën e vullnetit për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte vendit institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Forma se si partitë politike e kanë fut vendin në ngërç është joparimore, jo e dobishme për vendin dhe e fut Kosovën në qorrsokak qoftë politik, ekonomik dhe diplomatik sepse Kosova aktualisht është në vendnumëro në të gjitha aspektet”, thotë analisti Arbnor Sadiku.

“Kjo po pranohet si normalitet i ri. Dështimi për ta konstituuar Kuvendin për herë të 37-të e ka kthyer këtë proces në një praktikë të zakonshme që po zbeh demokracinë funksionale dhe po e cenon rendin kushtetues. Në vend të përpjekjeve për marrëveshje, partitë politike kanë zgjedhur të thellojnë bllokadën duke i vënë interesat personale e partiake mbi interesat e përgjithshme dhe publike”, thotë Melos Kolshi i IKD

 Aktualisht edhe zgjidhja nuk duket të jetë në horizont, sidomos me afrimin e zgjedhjeve të reja lokale ku partitë pritet të ashpërsojnë retorikën dhe të thellojnë përçarjen. ARBNORSADIKUANALIST

“Vetëm nëse lëshon pe Nisma, Aleanca ose Lëvizja Vetëvendosje, partitë e opozitës e kanë shumë të vështirë, këto të mëdhatë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike sepse do të hyjnë shumë shpejtë në zgjedhjet lokale dhe kjo do t’ju hakmerrej menjëherë”, vijon Sadiku.

Partitë po presin edhe një vendim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me mënyrën e votimit, nëse mund të jetë i fshehtë apo vetëm i hapur. Por edhe një vendim i tillë nuk pritet të jap ndonjë rezultat për shkak të qëndrimeve të partive politike.

“Edhe në rast se gjykata e lejon votimin e fshehtë nuk e garanton zgjidhjen pa një konsensus të qartë politik për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Gjykata Kushtetuese mund të skicojë rrugën juridike dhe të ofrojë qartësi mbi procedurat por ajo nuk mund ta imponojë vullnetin politik për ata se janë të njëjtit deputet të që do të votojnë”, thekson Kolshi.

 Sipas afateve ligjore, Kushtetuesja ka kohë deri në mes të muajit korrik për të nxjerrë një vendim për mënyrën e votimit. Ndërsa Kosova vuan funksionimin e institucioneve, kjo krizë rrezikon edhe humbjen e fondeve ndërkombëtare dhe ngadalëson rrugën drejt integrimit në institucionet ndërkombëtare.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos