Qytetarët në Kosovë janë të kënaqur me drejtimin politik të vendit, por edhe me liderët. Të dhënat janë prezantuar nga UNDP që realizon “Pulsin publik”, një anketë që zhvillohet dy herë në vit.
Duke krahasuar me rezultatet e anketës së nëntorit të vitit 2023, kënaqshmëria e të anketuarve me institucionet kryesore është rritur me 7,7 pikë të përqindjes.
Presidentja Vjosa Osmani me 69% është liderja që gëzon pëlqyeshmërinë për punën e saj. Ajo pasohet nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, me 64,6%, ndërsa kryeministri Albin Kurti është i treti me 58,3%.
Më pak të kënaqur janë me punën e kabinetit ekzekutiv (53,3%) dhe me atë të Kuvendit (52,1%).
Alisa Hasani, nga UNDP, shprehet: “Mendimet kryesore na kanë treguar që 36,3% janë shumë të kënaqur apo kanë qenë të kënaqur me drejtimet politike që Kosova i ka pasur krahasuar më 23,9% në nëntor 2023. Të dhënat me etnicitetin na tregojnë se edhe gjashtë komunitetet e tjera 35,9% të shqiptarëve dhe 5,7% të serbëve të Kosovës kanë qenë të kënaqur me drejtimet politike që Kosova aktualisht po i drejton”.
Shqiptarët (52,9%) dhe komunitetet pakicë joserbe (51,6%) kanë pikëpamje pozitive për marrëveshjen bazike, krahasuar me serbët (25,7%) e Kosovës. Megjithatë, në përgjithësi të anketuarit janë shprehur skeptikë se zbatimi i saj do të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Të dhënat na tregojnë se 10,9% të respodentëve besojnë që marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë do ta drejtojë Kosovën në Bashkimin Evropian dhe të tjerët nuk e besojnë”, thotë Hasani.
Prokuroria (27,1%) dhe gjykatat (26,5%) gëzojnë kënaqshmërinë më të ulët me punën e tyre mes qytetarëve të Kosovës. Madje këto (36.5), së bashku edhe me Doganën e Kosovës (35.3%) perceptohen nga qytetarët si institucionet ku ka shkallë të gjerë të korrupsionit.
Nuno Queiros, përfaqësues i përhershem i UNDP Kosovë, tha: “Tri çështjet kryesore që janë identifikuar në raport me të cilat përballen njerëzit kanë qenë varfëria 16,6%, papunësia 16,3% dhe çmimet e larta për gjëra esenciale 12,6%. Në total e 83,2% të personave të cilët janë përgjigjur janë ndjerë të sigurtë kundër dhunës dhe kur ndodhen në rrugë krahasuar me 79,9% në nëntor të 2023”.
Mbi 27% të të anketuarve janë shprehur “shumë të kënaqur” ose “të kënaqur” me drejtimin ekonomik të Kosovës. Qytetarët ende mendojnë se punësimi në sektorin publik varet nga lidhjet familjare (27,3%) ose besnikëria partiake (24,8%). Por, një masë e madhe e të anketuarve (60,8%) mendojnë se punësimi në sektorin privat fitohet në bazë të meritës.
Anketa ka përfshirë mbi 1300 qytetarë mbi 18 vjeç nga 17 prilli deri më 7 maj 2024. Mostra ka përfshirë numër të njëjtë të burrave dhe grave nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës. Sa i përket përfaqësimit etnik, mostra ka përfshirë 88% shqiptarë, 6% serb dhe 6% nga komunitetet e tjera. (A2 Televizion)