
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për të pasur rivotim në komunën e Mitrovicës së Jugut. PDK pretendonte se integriteti i procesit ishte dëmtuar pasi ishin gjetur fletëvotime me problem me numër serikë e që i përkisnin qendrave të tjera të votimit.
Paneli vlerëson se në këtë rast nuk është cenuar integriteti i zgjedhjeve dhe se ka qenë vetëm një gabim teknik në kodin e fletëvotimit në vendvotim ndërsa numri serik dhe elementet e tjera që kanë qenë të domosdoshme për sigurinë e fletëvotimit kanë ekzistuar në secilin fletëvotim siç përcaktohet në Rregulloren e KQZ.
Paneli gjithashtu e vlerëson të pabazuar pretendimin se ka pasur bartje të votave nga një qendër në një qendër tjetër të votimit pasi që është konstatuar se nuk ka pasur fletëvotime të tjera përveç atyre të shtypura, ose më saktë nuk ka pasur asnjë fletëvotim më tepër sesa kanë qenë të dedikuara për Mitrovicën e Jugut sipas qendrave të votimit.
Kërkesën për ripërsëritje të votimit në këtë komunë, Paneli e cilësoi të “të pa themeltë” pasi përmes provave të administruara nuk është arritur të provohet asnjë shkelje e Ligjit të Zgjedhjeve apo rregullave të KQZ.
Paneli tha se vendimi për ankesat nga ana e saj mbështetet në dëshmi të qarta dhe bindëse dhe se barra e të provuarit bie mbi ankuesin duke shtuar se PDK nuk ka dëshmuar me prova konkrete pretendimet e ngritura për rivotim. (A2 Televizion)
