Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet edhe për të 18 herë kur u mblodh sipas radhës mëngjesin e së hënës. Seanca u ndërpre pasi nuk pati kuorum për ngritjen e komisionit për votim të fshehtë.
Partitë po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse është i lejuar ndryshimi i mënyrës së votimit, nga i hapur në të fshehtë, çështje kjo që është dërguar për interpretim nga AAK. Mirëpo, Kushtetueses mund t’i drejtohen edhe për gjithë ngërçin aktual, qoftë presidentja Vjosa Osmani, apo ndonjë grup deputetësh.
“Ne s’kemi krizë juridike, kemi krizë politike. Në këtë situatë edhe përgjigja duhet të ishte politike dhe zgjidhja do të duhet të ishte e tillë, por nëse një gjë tillë mungon edhe për një periudhë të caktuar unë besoj që duhet dikush të merret me një adresim në Gjykatën Kushtetuese”, tha Memli Krasniqi.
Lëvizja Vetëvendosje tha se partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë po refuzojnë çdo lloj mundësie për bashkëpunim.
“LDK del thotë ne nuk votojmë asnjë kandidatë. Kjo tregon që LDK është komplet përgjegjëse për bllokimin. PDK thotë ne nuk votojmë asnjë kandidatë që ka qenë pjesë e qeverisë, ministra apo zëvendësministra. AAK thotë ne kemi një propozim tonin. Propozimi na takon neve”, tha Dimal Basha.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës doli me një tjetër propozim për kandidaten e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, pasi po dështon të zgjidhet në këtë post.
“Veç me propozu për Çmim Nobel Albulena Haxhiun edhe pse Çmimi Nobel është për të arriturat dhe sukseset në ndonjë fushë apo lëmi, e tash veç me propozu për Çmim Nobel për dështimet e njëpasnjëshme me plot seanca dhe vazhdimi i Lëvizjes Vetëvendosje me të njëjtin kandidat”, deklaroi Time Kadrija.
Ashtu sikurse edhe seancën e kaluar, Vetëvendosje sërish propozoi që seancat të mbahen njëherë në javë dhe jo çdo 48 orë, por u refuzua nga të gjitha partitë e tjera. (A2 Televizion)