Rihapet tema e zgjedhjeve, Kurti dhe Krasniqi takim kokë më kokë, por nuk vendosën asgjë

Nga A2 CNN
13 Maj 2024, 23:11 | Politikë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, se në takim u diskutua për zgjedhjet e reja dhe sipas tij, stinët më të përshtatshme për mbajtjen e tyre janë pranvera e vjeshta, por për caktimin e tyre tha se pret bashkëpunim me opozitën.

“I falënderoj udhëheqësit e PDK-së, Krasniqin e Tahirin që iu përgjigjen ftesës. Diskutuam çështjet e aktualitetit politik, por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare, të cilat janë në pritje për tu votuar. Na nevojitet mbështetja e opozitës. Diskutuam për situatën në përgjithësi edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, gjithashtu sa i përket mundësisë për  zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt por dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës. Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Le ta diskutojmë, por nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim ose të them se kështu se nuk mundet ndryshe. Ta bëjmë debatin në fushatë zgjedhore pasi të jemi pajtuar për zgjedhje”.

Kurse Kryetari i PDK-së Krasniqi thotë se në takimin me Kurtin ka kërkuar zgjedhje të parakohshme përmes një mocioni të përbashkët në Kuvend, por pa thënë saktë se cila do të jetë data. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos