Seanca të dështuara çdo 48 orë, propozimi i Vetëvendosjes: Të mblidhemi një herë në javë

Nga Ideal Gola
17 Maj 2025, 16:06 | Politikë

Seanca të dështuara çdo 48 orë, propozimi i

Takimi i shtatëmbëdhjetë i deputetëve në përpjekje për të konstituuar Kuvendin dështoi sërish. Seanca nisi me një konsultim mes përfaqësuesve të partive politike me kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për mundësinë e reduktimit të seancave.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje ishte që seancat të mos mbahen çdo 48 orë, siç e përcakton rregullorja, por vetëm një herë në javë. Kjo ide u rrëzua nga partitë e tjera të mëdha që e lexuan si mungesë të vullnetit të partisë së Kurtit për të krijuar institucionet e reja, shkruan A2. 

“Është krejtësisht e papranueshme që të bëhet një kërkesë e tillë për të shkelur rregulloren me vetëdije dhe e dyta kjo tregon se vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë për të tentuar për të bërë zgjidhje apo për të lëvizur përpara, por thjesht këto përsëritje dhe repriza mos të mbahet çdo dy ditë, por çdo javë”, tha Memli Krasniqi i PDK.

Hykmete Bajrami e LDK u shpreh: “Ne këtë e shohim indikacion shtesë që LVV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëjë konstituimin e Kuvendit. Ata mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe të Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve”. 

Lëvizja Vetëvendosje e arsyetoi propozimin duke thënë se meqë nuk ka asnjë rezultat çdo të dytën ditë, atëherë kështu do të pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth mënyrës së votimit. AAK ka kërkuar interpretim nëse ndryshimi nga votim i hapur në të mbyllur për zgjedhjen e kreut të Kuvendit përbën shkelje.

Mimoza Kusari – Lila, e Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi: “Ai ishte një propozim në dakordim, i cili nuk u mbështet dhe nuk u realizua, rrjedhimisht nuk ka asgjë që mund të quhet ose të deklarohet si shkelje përveçse një përpjekje për të kthyer paksa në një orar tjetër këto takime”.

Deputetët do të mblidhen mëngjesin e së hënës dhe do të vijojnë aty ku e kanë lënë, tek përpjekja për të ngritur një komision për votim të fshehtë që mbështetet vetëm nga Vetëvendosje dhe partnerët e saj të vegjël.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos