Bashkimi Evropian tha të premten se veprimet e ditëve të fundit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë. Blloku evropian reagoi pak orë pasi Policia e Kosovës mori në kontroll një ndërtesë që përdorej nga Shërbimi Nacional për Punësim, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë, raporton A2 CNN.
Aksioni ishte pjesë e një sërë veprimesh të ndërmarra ditët e fundit, gjatë të cilave autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll ambientet e disa institucioneve që i cilësojnë si struktura paralele dhe të paligjshme. A2 CNN shkruan se BE-ja i bëri thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ta ndalë mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangë masa që mund të çojnë në përshkallëzim.
BE-ja tha se veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve. Ajo kërkoi nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë “konstruktive” në dialogun e lehtësuar nga blloku. (A2 Televizion)