Pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese, vëmendja rikthehet te konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Votim i hapur me një emër që nuk mund të propozohet më shumë se tre herë është vendimi që duhet të respektohet nga 120 deputetët.
“Partitë politike e veçanërisht po i drejtohem Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit që ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ta pranojë dhe ta zbatojnë sepse nëse e zbatojnë atëherë ka zgjidhje sepse gjykata i ka paraparë disa mënyra si mund të zgjidhet situata”, tha analistja Magbule Shkodra.
Pavarësisht vendimit, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka ndonjë marrëveshje politike me një parti tjetër parlamentare, shkruan A2 CNN.
Bisedimet me Nismën nuk rezultuan me ndonjë dakordim gjë që e bën të vështirë zgjidhjen e ngërçit.
“Marrëveshja politike megjithatë nevojitet sepse i nevojitën 61 numra dhe kandidatët që do ti propozojë Lëvizja Vetëvendosje atëherë patjetër që duhet të sigurojë që ka përkrahjen e deputetëve të tjerë të përfaqësuar në parlament”, u shpreh analistja.
Kosova po përgatitet për zgjedhje lokale në vjeshtë por këto kohë janë ngritur hipoteza që mund të ketë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme për Kuvend në mungesë të një zgjidhjeje.
Vet partitë politike kanë thënë se janë të gatshëm për zgjedhje të nivelit qendror.
“Kjo është në retorikën politike, thuhet që po jemi të gatshëm, por sikur të vijë me të vërtetë situata por besoj se do ta bëjnë një zgjidhje sepse askujt nuk i leverdis zgjedhjet në këtë kohë”, tha Shkodra.
Kosova mbajti zgjedhjet më 9 shkurt, ndërsa më 15 prill nisi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës që nuk është mbyllur ende. (A2 Televizion)