Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po e ndihmon Rusinë që të hapë një front të ri kundër Perëndimit, për të hequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë, e cila vijon prej më shumë se dy vitesh.
Gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Demokraci të Kopenhagës, Osmani tha se demokracia në botë është në sprovë, pasi autokratët po sulmojnë vazhdimisht vlerat demokratike.
Ajo shtoi se Kosova e sheh të ardhmen e saj në familjen euroatlantike dhe nuk do të ndalet së punuari në rrugën drejt integrimit.
“Siç e dini, Kosova kufizohet me Serbinë, vend që jo vetëm së voni, por sidomos së voni është dëshmuar të jetë dorë e zgjatur, shumë besnike e Rusisë, që përpiqet të luajë me ato lojërat e presidentit rus, Vladimir Putinit në Ballkanin Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit. Sepse ky efekti shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina, kjo do të ishte shumë e nevojshme për ta. Pra, puna që mbajmë bashkë me aleatët tanë, sepse siç e dini kemi një prani të NATO-s në Kosovë, për të siguruar që Kosova të mbetet e sigurt e stabile, është një gjë që bëjmë çdo ditë, çdo orë”, tha presidentja e Kosovës.
Gjatë samitit në Kopenhagë, Osmani tha se Kosova ka rritur bashkëpunimin me aleatët e saj për të zmbrapsur çdo qëllim “destabilizues në kufirin verior”, duke iu referuar kufirit me Serbinë. (A2 Televizion)