Paraditen e së mërkurës, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen në të cilën kryeministri Albin Kurti njoftoi themelimin e grupit punues për koordinim e angazhim institucional në procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Sot po themelojmë Grupin Punues, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri i Parë, Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj vlerëson se përgjegjësia kryesore për këtë angazhim u takon institucioneve të Kosovës. Sipas tij, rëndësi të veçantë ka angazhimi diplomatik me shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ajo çka është me rëndësi, është fakti që kjo punë është besuar Ministrit të Punëve të Jashtme, i cili të duhet që pa vonesë të caktonte takime me homologët e tij, kryesisht në shtetet e Këshillit të Bashkimit Evropian, po edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të parë mundësinë se si mund të riparohen, si të themi, interesat e Republikës së Kosovës nga vendimi në Hagë dhe mbas të vazhdojë lufta në distancë”.
Por, përtej themelimit të grupit punues, rëndësi ka mënyra se si do të konkretizohet kjo strategji. Avokati Ardian Bajraktari vlerëson se fokusi duhet të jetë te lobimi dhe bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse, në mënyrë që të ofrohet mbështetja e nevojshme për procesin e Apelit.
“Qasja në këtë drejtim duhet me qenë jashtëzakonisht e fokusuar në drejtim të lobimit, qoftë te vendet financuese te kësaj gjykate në mënyrë për aq sa është e mundur, procesi të kaloj në parametra normal. Vlerësoj që ky grup duhet të jetë në koordinim edhe me ekipet mbrojtëse, në drejtim të ofrimit të çfarëdo mbështetje të nevojshme”.
Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar shkarkimin e ministres Donika Gërvalla, duke kritikuar mungesën e saj në mbledhjen e Qeverisë.
(A2 Televizion)