Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës ka folur me një gjuhë të ashpër në drejtim të Prokurorisë pasi sipas tij e kanë trajtuar pa të drejtë gjatë momentit të marrjes në pyetje. Pas marrjes në pyetje nga Prokuroria Speciale, Bislimi ka shkruar në Facebook se ndonëse ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, intervista njëorëshe e gjysmë nuk përmbante asnjë pyetje që, sipas tij, i drejtohet zakonisht një dëshmitari.
“Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Po ashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa pasur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, tha Bislimi.
Bislimi gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij për praninë e portaleve në hyrje të ndërtesës ku është mbajtur intervista, gjë që, sipas tij, nuk ndodh zakonisht kur ftohen dëshmitarë. Këtë fakt ai e ka quajtur një skandal, shkruan A2 CNN. Bislimi ishte ftuar në kuadër të hetimeve që lidhen me kontratën për mbetjet nën shtazore, të Ministrisë së Bujqësisë, e drejtuar nga ministri në detyrë Faton Peci. Prokuroria Speciale ka thënë se Besnik Bislimi u intervistua në cilësinë e dëshmitarit.
Ndërkaq, nga Prokuroria Speciale thonë se hetimet lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e produkteve nënshtazore janë në fazën fillestare, prandaj nuk mund të japin tani për tani detaje lidhur me intervistimin e Bislimit. (A2 Televizion)