Vijon kriza politike në Kosovë, opozita fajëson Kurtin: Po izolon vendin  

Nga A2 CNN
17 Qershor 2025, 20:06 | Politikë

Vijon kriza politike në Kosovë, opozita fajëson Kurtin: Po izolon

Për të 33-ën herë deputetët e Kosovës kanë dështuar të konstituojnë kuvendin. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari e nisi seancën me kërkesën për emra të komisionit, gjë që nuk iu dhanë nga PDK, LDK, AAK, e më pas u hodh në votim komisioni i cili mori vetëm 51 vota pro, një kundër e asnjë abstenim.

Kjo bëri që seanca të ndërpritet për të vazhduar në 19 qershor, në orën 10:00. Të gjitha vazhdimet e deritanishme të seancës konstituive kanë dështuar, pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha se në krye të vendit është një kryeministër në largim që e ka izoluar Kosovën. Pas dështimit të seancës konstituive, Çitaku tha se është momenti i fundit që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas përfundimit të seancës tha se mosvotimi nga ana e partive tjera politike është veprim i papërgjegjshëm politikisht e juridikisht shkelje e Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Haxhiu tha se gjithçka zgjidhet nëse partitë politike vendosin të kryejnë “detyrat që kanë”.

Sakaq, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi theksoi se bllokada që po vazhdon si pasojë e kryeneçësisë së Lëvizjes Vetëvendosje është e dëmshme për pozicionin e Kosovës.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj u bëri thirrje partive politike që të lënë anash siç tha ai egot personale dhe të bisedojnë për një marrëveshje të mundshme për ndërtimin e institucioneve. Ai tha se po të kishte Nisma më shumë deputetë, Kuvendi tashmë do të zhbllokohej.

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar për interpretim në Kushtetuese mënyrën e fshehtë të votimit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa. Vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos