Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të hënën se organet e rendit dhe drejtësisë janë në kërkim të politikanit serb të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, pasi policia gjeti armë në një pronë të tij në veri të vendit një ditë më parë.
Duke folur para një seancë konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Sveçla tha për gazetarë se Arsenijeviq “do të ndalet në momentin që futet në territorin e Kosovës”.
“Tri prona të tij dhe të familjes së tij janë bastisur dje. Ndër të tjera janë gjetur edhe pajisje për mining për kriptovaluta, që është shkelje doganore, një jelek antiplumb dhe gjëra të tjera, gjë që tregon se ai ka qenë i kyçur në krim për një kohë të gjatë”, tha Sveçla.
Ai tha se Arsenijeviq nuk ndodhet në Kosovë dhe se organet e rendit janë në kërkim të tij.
Më herët të hënën, Partia e Arsenijeviqit, Demokracia Serbe e pranoi se armët janë gjetur në tokën ku ndodhet shtëpia e pushimit e liderit të saj, megjithëse pretendon se ato janë “të kurdisura” nga autoritetet e Kosovës.
Kjo parti nuk dha asnjë dëshmi për ta mbështetur këtë pretendim.
Demokracia Serbe shtoi se në kohën e bastisjes të dielën, lideri i saj ndodhej në Serbi.
Të dielën në një postim në Facebook, Sveçla tha se armët e gjetura në pronën e Arsenijeviqit do të mjaftonin “për një njësit terrorist".
Ai shtoi se gjatë bastisjeve në Vallaq të Zveçanit, që sipas tij u kryen nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës – nën vëzhgimin e KFOR-it dhe EULEX-it – u gjetën raketahedhës, granata dore, tonblonë si dhe armë e municione të llojeve të ndryshme.
Autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.
Në maj, autoritetet thanë se kishin gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut dhe gjatë aksionit u raportua se u sekuestruan sasi armatimi dhe pjesë të ndryshme të armëve./ REL (A2 Televizion)