Analisti Selam Shkodra është shprehur se Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, do të jetë ai që do të finalizojë pavarësinë e Kosovës.
Komentet Shkodra i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se besonte se Trump do të bindte edhe palën serbe që të përparonte në drejtim të njohjes së Kosovës.
Ai tha gjithashtu se priste shumë nga Kosova dhe Serbia që ta propozonin Presidentin Trump për çmimin Nobel për paqen.
“Përveç institucioneve të Kosovës ka edhe njerëz të tjerë që kujdesen për mirëmbajtjen e raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së. Këto relacione janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, sepse Kosova është derivate i SHBA-ve.
Dhe Presidenti Trump mendoj se do të jetë njëri prej Presidentëve që do ta finalizojë shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare duke arritur që të bindë edhe palën serbe që të përparojë në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Dhe pres shumë që Presidenti Trump të jetë i propozuar nga këto dy vende për çmimin Nobel dhe mendoj se angazhimi i tij do të jetë më i madh në muajt në vijim”, tha mes të tjerash Shkodra. (A2 Televizion)