“Ka ende kohë për qeverinë e re”, Osmani: Lista Serbe po minon krijimin e institucioneve

Nga Rosalba Bejdo
20 Tetor 2025, 17:32 | Politikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani akuzoi partinë më të madhe të serbëve në veri se po përpiqet të krijojë vonesa në formimin e institucioneve. Ajo e quajti të panevojshme ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit.

Kjo, sipas saj, dëmton interesat e Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve të të gjitha etnive. Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese më 16 tetor, ku pretendon se me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

“Totalisht e panevojshme. Ju e dini që ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve. Besoj se kjo është një tentim tjetër për vonesa të cilat, siç e dini, e kanë dëmtuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri e cilado të kishte mandat të plotë kushtetues. Siç e dini, me Ligjin për Qeveri, kompetencat e qeverisë në detyrë janë të limituara. Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash që Kuvendi është i konstituuar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të kemi një qeveri me mandat të plotë. Krijimi i qeverisë pastaj varet tërësisht nga koalicionet mes partive politike dhe aty nuk mund të ndërhyjë. Është në interes të të gjithë qytetarëve tanë pa dallime që të kemi institucione me mandat të plotë kushtetues. Vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por edhe të gjithë qytetarëve që jetojnë, përfshirë serbëve në Kosovë”, tha ajo.

Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, Vjosa Osmani, mandatoi më 11 tetor kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re. Megjithëse kanë kaluar dhjetë ditë nga ky afat dhe deri tani nuk është bërë publike ndonjë tentativë për sigurimin e votave për qeverinë, presidentja Osmani tha se ka ende kohë dhe se nuk do të ngutët të flasë për dështim të përpjekjeve.

“Unë nuk do të ngutem të jap supozime se do të dështojnë në krijimin e qeverisë, pasi ka edhe pak kohë. Të shohim dhe shpresoj që të ketë angazhim maksimal për krijimin e qeverisë së Kosovës, pasi qytetarët kanë votuar më 9 shkurt të këtij viti që të kenë institucione dhe jo të rikthehen në zgjedhje... Sa i përket përpjekjeve të partive politike. Po rikthehem te përvoja ime kur kam qenë në parti. Shumica e këtyre diskutimeve mes partive politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura dhe shpesh e merrni vesh shumë vonë. Madje edhe ne që ishim në parti e merrnim vesh shumë vonë. Ju kujtohen disa prej koalicioneve të tilla. Andaj unë nuk do të sugjeroja se nuk ka përpjekje, pasi vetëm që ne nuk i dimë, nuk do të thotë se ato nuk janë duke ndodhur. Nuk jam e sigurt se ka përpjekje dhe ato janë të mjaftueshme, pasi si presidente nuk ndërhyj në diskutimet mes partive politike”, theksoi Osmani.

Megjithatë, e para e vendit nënvizoi se nëse LVV-ja, si partia e parë, nuk arrin të sigurojë shumicën në Kuvend dhe më pas dëshmohet se edhe në mundësinë e dytë askush nuk mund ta formojë qeverinë e re, ajo do të vendosë të shpallë zgjedhje të reja, në bazë të dispozitave kushtetuese.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos