Gjykata Kushtetuese me shumë mundësi duhet të marr një tjetër vendim, të katërtin për këtë vit, në lidhje me konstituuimin e Kuvendit të Kosovës. Zgjedhja e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb ka lënë të pakënaqur Listën Serbe që pretendon se i takon asaj kjo pozitë pasi ka 9 deputetë dhe 10 ulëset e rezervuara. Lista Serbe ka kërkuar që të ketë edhe pezullim të punës së Kuvendit i cili duhet të mblidhet për të votuar Qeverinë e re.
“Mirë që Lista Serbe e ka dërguar këtë ankesë sepse kjo shkon në dobi të stabilitetit institucional të Republikës së Kosovës sepse me këtë njëfarë mënyrë sqarohet një herë e mirë çka nënkuptojmë me konstituim të Kuvendit të Kosovës dhe nëse nuk mbetet pezull nëse emërimi i Rashiqit ka qenë kushtetues apo kundër kushtetues pasi ka pasur zëra të ndryshëm në publik”, shprehet juristi Ehat Miftaraj.
Kuvendi është konsideruar i konstituuar nga kryetari i Kuvendit pas zgjedhjes së Nenad Rashiq, i cili u hodh në votim me kërkesën Dimal Bashës. Paraprakisht pati 27 votime të dështuara, nga tre raunde për secilin nga 9 deputetët e Listës Serbe. Fakti që Rashiq nuk pati miratimin e të paktën 6 deputetëve serbë vë në pikëpyetje emërimin e tij.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e lidh emërimin e nënkryetarit me propozimin që vjen nga shumica e deputetëve, në rastin e z. Nashiq nuk ka propozim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”, shton Miftaraj.
Kushtetuesja pritet të deklarohet rreth kërkesës së fundit të Listës Serbe por edhe nëse do të pezullojë sërish punën e Kuvendit. Kjo do të shtynte edhe votimin e Qeverisë së re, për të cilën duket se asnjë parti nuk i ka 61 vota por që të drejtën e ka fillimisht Albin Kurti i Vetëvendosjes.
“Pa pikë dyshimi që përfituesi më i madh është Albin Kurti, fatkeqësisht në kurriz në dëm të interesave strategjike të Republikës së Kosovës. E përsëris kemi një qeveri në detyrë e cila nuk njihet si legjitime nga Bashkimi Europian, nga shtetet kryesore mike të Kosovës”, thotë Juristi.
Në kushtet aktuale, Kurti ka kohë deri të dielën që të propozojë kabinetin e ri qeveritar dhe të marr 61 vota për votim, ndryshe kjo e drejtë mund t’i kalojë dikujt tjetër. (A2 Televizion)
Ankesa e Listës Serbe, fati i kuvendit të Kosovës sërish në duart e Kushtetueses
