Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë tashmë ka filluar numërimi i votave të diasporës së Kosovës, për ata që kanë votuar përmes postës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai ka bërë me dije se në këtë qendër njëkohësisht po vazhdon edhe numërimi i vendvotimeve të fundit nga përfaqësitë diplomatike.
“Mund t’ju konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i vendvotimeve të fundit nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe tani kemi filluar edhe numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës”, ka deklaruar Elezi.
Deri më tani janë numëruar 40 vendvotime nga 43 sa janë gjithsej. Lëvizja Vetëvendosje nga numërimi i deritashëm ka siguruar 10 mijë e 893 vota ose 80.75 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës sipas këtij përditësimi ka marrë 1 mijë e 10 vota, ose 7.48 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 1 mijë e 6 vota vota ose 7.45 për qind.
Koalicioni për Kosovën Fituese, koalicion ndërmjet AAK-së, NISMA-s, Konservatorëve dhe Intelektualëve ka marrë 260 vota ose 1.93 përqind. (A2 Televizion)