Vrasjet në dyert e shkollave, zv.ministrja e Arsimit: Kemi marrë masa, shtohen oficerët e sigurisë

Nga A2 CNN
7 Shtator 2025, 22:08 | Aktualitet

Zëvendës-ministrja e Arsimit, Orjana Osmani, është shprehur se qeveria ka marrë masa shtesë për këtë sezon të ri shkollor, për rritjen e sigurisë në ambientet e mësimdhënies.

Komentet Osmani i bëri teksa ishte e ftuar në emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, ku tha se në shkollat me më shumë se 900 nxënës, do të ketë 2 oficerë sigurie.

Ajo tha gjithashtu se oficeri i sigurisë do të ketë akses në kamerat e shkollës, për të evidentuar të gjitha problematikat që ndodhin brenda dhe jashtë ambienteve të këtyre institucioneve.

“Jo më larg sesa dje, ministrja ka prezantuar edhe protokollet e reja të punëve të psikologëve, por edhe të oficerëve të sigurisë.

Në muajin prill ne kemi nxjerrë edhe një udhëzim të ri, që kemi ulur numrin e nxënësve për një oficer sigurie. Pra ne do të kemi oficerë sigurie për shkollat që kanë 300 nxënës e lartë, por në ato shkolla që kanë 900 nxënës ne do të kemi 2 oficerë sigurie.

Tashmë në udhëzimin 31 që ne kemi bërë dhe ndryshimet e duhura, i kemi lënë mundësi edhe oficerit të sigurisë që të ketë akses në kamerat e shkollës, për të evidentuar të gjitha problematikat që mund të ndodhin brenda mjediseve, por edhe jashtë ku kamerat mund të kapin”, tha mes të tjerash Osmani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos