Zgjedhjet në Kosovë, mes paqartësive të brendshme, përballë sfidave të jashtme

Nga Ideal Gola
7 Mars 2025, 20:08 | Politikë

Gati një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, në Kosovë ende ka pikëpyetje rreth formimit të qeverisë së re. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, nuk preferon koalicion me partitë e tjera të mëdha shqiptare, ndërsa opozita kërkon ta formojë ajo kabinetin e ri qeveritar.

Nën dritën e zhvillimeve të reja në botë, njohësit politikë thonë se vendi duhet të ketë një koalicion të gjerë me përfaqësues të të gjitha partive, me opsion edhe një kryeministër neutral, shkruan A2. 

Analistja Magbule Shkodra shprehet: “Partitë duhet të gjejnë mundësitë e bashkëpunimit sepse politika e jashtme kërkon një angazhim shumë, shumë serioz. Duhet një kryeministër që di të rivendosë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që di t’i qaset Bashkimit Europian për t’i hequr sanksionet”.

Ndërsa Shemsi Jashari thotë: “Në këtë kohë të mos kesh zë, të mos dish pozicionin tënd si shtet në arenën ndërkombëtare është shumë e dëmshme, shumë e rrezikshme e sidomos për shtetin tonë që jemi ende të pakonsiliduar në tërësi, të paintegruar në organizata ndërkombëtare dhe me një subjektivitet ndërkombëtar të lënduar”. 

Sjellja e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj partive opozitare shihet si pengesë për ndonjë kompromis të mundshëm, përpos kur këtu mund të ketë ndonjë ndërhyrje nga jashtë. 

“Mbetet shumë e paqartë se cili është vullneti i zotit Kurti. A dëshiron që ta zvarrisë proceisn, ta dështojë të drejtën për të themeluar qeverinë dhe qëllimisht të shkojë në opozitë apo e ka një strategji tjetër që dëshiron ta zvarrisë procesin deri në atë shkallë sa eventulisht të arrijë zgjedhjet lokale dhe të shkojmë prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi Jashari. 

Si fitues i zgjedhjeve, njohësit thonë se i takon Kurtit të ftojë të gjithë subjektet politike dhe për të biseduar për koalicione, ndërsa opsioni i zgjedhjeve të tjera nuk duhet të mendohet.

“Absolutisht nuk duhet asnjëri ta mendojë se ne do të shkojmë edhe një herë në zgjedhje, nuk kemi kohë për të shkuar edhe një herë në zgjedhje, ne kemi nevojë për qeveri të përgjegjshme që fillon dhe merret me detyrat urgjente e që janë duke na pritur”, shprehet Shkodra. 

Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se po presin certifikimin e rezultatit për të biseduar për formimin e qeverisë së re, por deri më tani është e vështirë të thuhet se do të ketë një qeveri jetëgjatë nëse nuk do të ketë koalicion me partitë më të mëdha.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos