Dëshmia për rezervat shtetërore, reagon zyra e Kurtit: Çështja është politizuar, i gatshëm të dëshmojë nga zyra e tij

Nga A2 CNN
7 Mars 2025, 16:09 | Politikë

Dëshmia për rezervat shtetërore, reagon zyra e Kurtit:

Zyra e Albin Kurti ka reaguar në lidhje me debatin publik për dëshminë e kërkuar Nga Prokuroria Speciale të kryeministrit për çështjen e rezervave shtetërore. Në një postim në rrjetet sociale zyra e kreut të qeverisë së Kosovës thekson se Kurti ka qenë i gatshëm për të dëshmuar nga zyra e tij sikurse është praktika e standardeve perëndimore. Ai mbështet fuqishëm pavarësinë e sistemit gjyqësor, por refuzon përdorimin e tij si një mjet për përfitime politike, shkruan A2 CNN.

“Kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të dëshmojë. Përkundrazi, ka ofruar bashkëpunim të plotë për të ndihmuar drejtësinë të kryejë punën e saj me integritet. Gatishmëria dhe vullneti për të dhënë dëshmi është ofruar në disa raste dhe në kohë të ndryshme në Zyrën e Kryeministrit. Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë ShBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual! Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes? Kryeministri vazhdon të jetë i gatshëm të dëshmojë sa më shpejtë, aq më mirë, për qëllime të drejtësisë e respektimit të institucioneve”.

Sipas zyrës së kryeministrit kjo çështje nuk duhet të ishte politizuar, ndërsa thekson se këto kohë është përballur me një valë dezinformatash dhe përpjekjesh për të sajuar një perceptim të rremë mbi këtë proces, raporton A2 CNN.

“Mos reagimi ynë i deritanishëm, nuk ka qenë mungesë vëmendjeje, por respekt për procesin ligjor që duhet të zhvillohet pa ndërhyrje të jashtme. Sidoqoftë, është bërë e qartë se po përballemi me një orvatje të hapur për të manipuluar dhe hutuar opinionin publik”, thuhet në postimin e kryeministrisë.

Zyra e kryeministrit paralajmëron reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Asnjëherë në Kosovën e pasluftës, nuk kishte më shumë përpjekje për të reformuar drejtësinë, nisur nga pakoja e ligjeve kundër korrupsionit e deri te Byroja shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Me të gjitha përpjekjet për të ndalur reformimin e shumë kërkuar të Këshillit Prokurorial të Kosovës e për të zhdukur koorporatizmin në këtë sistem, reforma do bëhet dhe jetësohet. Nuk është dhe nuk mund të jetë detyrë e cilitdo, e sidomos dhomave tregtare e ekonomike të japin opinione ligjore apo të ndikojnë në proceset gjyqësore. Bizneset dhe organizatat ekonomike kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Qeveria jonë ka qenë një aleate e fortë e punës së tyre duke ofruar stabilitet institucional e politik dhe duke nxitur rritjen ekonomike, e cila ka çuar në dyfishimin e investimeve te huaja direkt gjatë katër viteve të fundit. Ata që kërkojnë ta keqpërdorin këtë çështje për qëllime politike duhet të gjejnë mënyra të ndershme për të sfiduar qeverinë —përmes ideve dhe politikave që i shërbejnë qytetarëve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos