Mbahen sot zgjedhjet në Luginën e Preshevës. Qendrat e votimit në 2 komunat shqiptare, të Preshevës dhe Bujanocit, u hapën në orën 7 të mëngjesit. Presheva ka mbi 43 500 votues, që do të votojnë në 37 qendra, për 39 mandate. Ndërsa në Bujanoc kanë të drejtë vote 43 046 votues, të cilët do të votojnë në 59 vendvotime për 41 mandate.
Në të dy komunat vlen i njëjti rregull: për zgjedhjen e kryetarit të komunës nevojitet arritja e shumicës prej 21 mandatesh të këshilltarëve. Në Preshevë janë në garë 6 subjekte shqiptare dhe 1 i pakicës serbe. Në Bujanoc ndërkaq po garojnë 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.
3 nga 4 subjekte politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, që udhëhiqet nga Shaip Kamberi, Partia Demokratike që udhëhiqet nga Nagip Arifi dhe Lëvizja e Progresit Demokratik me kryetar Shqiprim Musliun, kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni parazgjedhor sipas të cilës, subjekti që merr më shumë mandate do të udhëheqë komunën e Bujanocit.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një postim që ka bërë një ditë më parë, ka folur për ndërhyrje të përfaqësuesve të organeve shtetërore serbe në vullnetin e qytetarëve, në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit.
(A2 Televizion)