Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se raporti i Përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kërkon heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, Bislimi tha se ka pasur tendenca që masat të shfrytëzohen si mjet presioni për të arritur edhe qëllime të tjera por që nuk kanë pasur sukses.
Sipas tij, brenda institucioneve të Bashkimit Evropian ka individë që kërkojnë shtyrjen e heqjes së masave për të dëmtua Kosovën.
“Raporti është dashur të dorëzohet pardje por një pjesë e komisionit apo figura të caktuara të komisionit kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besoj që i njëjti do të dërgohet për aprovim në këshill gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit me sa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave.”
Bislimi tha se Kosova nuk është dëmtuar nga masat aq sa pretendon opozita në Prishtinë.
“Nuk është pezulluar asnjë projekt i BE-së, asnjë projekt i cili ka qenë duke u zbatuar nuk është pezulluar. Ajo që ka ndodhur është që projektet e IPA 2022, të cilat është dashur të kontraktohen nga fillimi, kontraktimi i tyre është shtyrë deri në heqjen e masave.”
Gjatë raportimi të Bislimit, pati edhe përplasje dhe akuza mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. (A2 Televizion)