Shpërthejnë debatet për ekspozitën, pasaktësi të mëdha për masakrat në Kosovë

Nga Ideal Gola
28 Mars 2026, 17:40 | Kosova

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e organizuar nga “Admovere” dhe “Integra”, me autor Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, nxiti reagime të mëdha në Kosovë. Arsye janë bërë pasaktësitë që lidhen me numrin e viktimave në këto masakra edhe me cilësimin e viktimave civilë e të pambrojtur si persona të armatosur.

Të dhënat e paraqitura në këtë ekspozitë në sheshet kryesore të Prishtinës, pothuajse përfshijnë të gjitha masakrat në Kosovë, ndërsa vëmendje më të madhe mori masakra e Budravës, ajo e Krushës së Madhe dhe e Izbicës, po ashtu pasaktësi janë vënë re edhe në ngjarje të tjera të rënda të ndodhura në pranverën e vitit ‘98-‘99.

Për masakrën e burgut të Dubravës, në ekspozitë thuhej se kishte më pak të vrarë, ndërsa pretendohet se 48 prej tyre ishin të armatosur, ndërkohë që asnjë shqiptar i burgosur nuk ka pasur armë.

Visar Ballovci, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, shprehet: “Shpërtheva në vaj gjatë rrugës për këtu. Ajo që paraqitet nuk përmban asnjë element të vërtetë nga ngjarjet në Dubravë. Nuk ka asnjë gjurmë reale të asaj që ka ndodhur. Unë kam qenë vetë i mbijetuar i masakrës së Dubravës dhe e kam parë drejtpërdrejt se çfarë ka ndodhur atje”.

Autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, përmes një reagimi deklaroi se të dhënat për masakrat janë marrë nga lista e hartuar nga organizata joqeveritare “Humanitarian Law Center” e udhëhequr nga Natasha Kandiç.

Shkëlzen Gashi, autori ekspozitës tha: “Përgjegjësia për mungesën e një liste zyrtare dhe të saktë të viktimave të luftës në Kosovë u takon institucioneve të Kosovës, të cilat do të duhej prej kohësh të kishin përditësuar këtë listë të vetme ekzistuese, të hartuar nga organizata e Natasha Kandiçit dhe të kishin hartuar një listë zyrtare shtetërore”.

Ekspozita ishte financuar nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa kryeparlamentarja Albulena Haxhiu kishte vizituar atë në ditën e hapjes. Megjithatë, institucioni më i lartë në Kosovë nuk mori përgjegjësi për përmbajtjen.

Kuvendi i Kosovës deklaron se: “Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”.

Ekspozita e hapur më 24 mars ishte planifikuar të qëndronte e tillë deri më 7 prill, mirëpo të premten në mbrëmje Komuna e Prishtinës i hoqi lejen. Të shtunën në mëngjes, zyrtarët e Komunës dolën në shesh dhe i larguan ato.

Luftar Braha, Komuna e Prishtinës, thotë: “Ky revokim [i lejes] është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë dhe të pavërtetë në disa prej panove që janë shfaqur në disa prej materialeve të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, rëndojnë shumë të mbijetuarit e masakrave dhe kanë krijuar një irritim të jashtëzakonshëm të sentimentit publik”.

Ministri për punë, familje dhe vlerat e luftës çlirimtare, Andin Hoti, ftoi Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që të shqyrtojnë këtë çështje. Një reagim të ashpër bëri edhe Organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së që tha se ekspozita të tilla fyejnë gjakun e derdhur për liri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos