Një histori force, sakrifice dhe shprese është rrëfyer në emisionin “Dita Jonë”, ku prindërit e Aronit, një djali 11-vjeçar që vuan nga paraliza cerebrale, ndanë sfidat e tyre të përditshme dhe rrugëtimin e vështirë drejt një jete më të mirë për të birin.
Familja ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh në Shqipëri, ku sipas tyre mungesa e trajtimeve dhe medikamenteve i la pa shumë alternativa. Ndonëse mjekët në Shqipëri i hoqën shpresat, gjendja e Aronit u përmirësua ndjeshëm në Gjermani, falë edhe mbështetjes së sistemit shëndetësor atje.
Babai i Aronit tregoi se djali i tyre është i vetëdijshëm për gjendjen e tij dhe për sfidat që ka përpara.
“Aroni është një fëmijë që di gjithçka për sëmundjen e tij, e kupton se çfarë ka dhe ku duhet të arrijë. Shteti gjerman na ka mundësuar menjëherë ilaçet dhe medikamentet, të cilat në Shqipëri nuk i kishim, pasi nuk importoheshin. I kemi blerë privatësisht. Ndërsa këtu kemi pasur çdo gjë nga shteti,” u shpreh ai.
Pavarësisht vështirësive, Aroni mbetet një fëmijë me ëndrra të mëdha dhe pasion për muzikën.
“Muzika është pasioni im më i madh. Dua të bëhem një këngëtar i njohur si Michael Jackson. I dua shumë prindërit,” tha ai me emocion.
Nga ana e saj, nëna rrëfeu momentet më të vështira si prind, sidomos tani që Aroni po rritet dhe bëhet më i ndërgjegjshëm për gjendjen e tij.
“Aroni po hyn në fazën e adoleshencës dhe bëhet akoma më i vetëdijshëm për pengesën fizike që ka. Më pyet shpesh: ‘Pse unë e kam paralizën cerebrale?’ Kjo është pyetja më e vështirë për një prind. Nuk dimë si t’i themi që kjo do të jetë gjithmonë aty. Ndihem e pafuqishme,” u shpreh ajo.
Megjithatë, mes dhimbjes dhe sfidave, familja gjen forcë te përparimi dhe mundësitë që djali i tyre ka sot.
“Jemi të lumtur sepse Aroni ka një jetë të kompletuar, me mundësi që mund t’i ketë çdo fëmijë. Ekziston një mundësi për ta bërë jetën e bukur edhe me paralizën cerebrale,” përfundoi nëna.
Historia e Aronit dhe e prindërve të tij është një dëshmi e fuqisë së dashurisë prindërore dhe e shpresës që nuk shuhet, edhe kur rruga duket e pamundur. (A2 Televizion)