Debati mbi identitetin gjinor dhe trajtimet për personat transgjinorë ka marrë vëmendje edhe në Shqipëri, sidomos pas raportimeve se për herë të parë në QSUT do të ofrohen terapi hormonale për transgjinorët.
Në lidhje me këtë çështje reagoi edhe aktivistja Lindita Pano, e cila në një intervistë për emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN ngriti shqetësime për atë që ajo e cilësoi si “indoktrinim” të fëmijëve dhe ndikim të politikave europiane mbi prindërit dhe familjet.
Pano tha se sipas një email-i që pretendon se kanë mbërritur nga Brukseli, në vendet e Bashkimit Europian po diskutohen politika që lidhen me trajtimin e fëmijëve të konfuzuar për identitetin gjinor dhe prindërit që do t’i kundërshtojnë praktika të tilla do të quhen kriminelë.
“Do t’i konfuzojnë fëmijët që kur të vijë mosha 14-vjecare t’u bëjnë atë terapinë hormonale apo tranzicionin, dhe bëhet qark i mbyllur. Komisioni i Ekonomisë dhe Çështjeve Sociale në BE më 29 prill ne kemi marrë një email nga Brukseli, që ka propozuar që në BE të quhet kriminel kushdo person që kërkon të konvertojë një fëmijë të konfuzuar në identitetin e tij gjinor. Nëse një fëmijë vajzë ndihet djalë, apo fëmijë djalë ndihet vajzë që në moshë të vogël, nëse prindërit do tentojnë ta bindin në gjininë biologjike, prindërit do të quhen kriminelë. Do dënohen për krim, nuk e ekzagjeroj. Ka pasur fëmijë që kanë bërë tranzicion me një telefonatë dhe prindërit kanë qenë të pafuqishëm për t’i ndaluar, madje fëmijët mund t’u merren prindërve në raste të tilla. Kam parë një nënë që qante, dhe lotët i iknin si shi, dhe tregonte se si vajza e saj 13-vjeçare ishte bindur në shkollë që ishte djalë, dhe që kishte lindur në trupin e gabuar. Ky indoktrinim do fillojë në shtator në Shqipëri. Shërbimet sociale ia marrin fëmijën nënës dhe i thonë që vajza juaj do futet në operacion”, tha Pano.
(A2 Televizion)