Presidenti amerikan, Donald Trump uroi Kosovën për 18-vjetorin e shtetësisë së saj dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Këtë e bëri të ditur Presidenca e Kosovës. Përmes një letre, Trump përgëzon vendin për pjesëmarrjen në themelimin e Bordit të Paqes, si dhe për mbështetjen në përpjekjet e SHBA-së për të zgjidhur problemet globale në Ukrainë, Gazë dhe vende tjera. Ai po ashtu shpreh gatishmërinë e SHBA për zgjerim të partneritetit mes dy vendeve.
“SHBA mbetet e palëkundur në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Teksa marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të rritet, ne mirëpresim zgjerimin e partneritetit përmes bashkëpunimit tregtar dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë së bashku me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët”.
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.Udhëheqës shtetërorë të vendit e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike. Megjithatë, marrëdhëniet janë tensionuar herë pas herë, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë së mëparshme të Kurtit në veriun e vendit.
Për pasojë, SHBA-ja vitin e kaluar e ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, pa nisur ende. Por nga Ambasada amerikane në Prishtinë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë në javët e fundit se SHBA-ja është e gatshme të rinisë këtë proces me Kosovën dhe të punojë me Kurtin, i cili javën e kaluar e ka nisur mandatin e tretë si kryeministër. (A2 Televizion)