Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se partitë opozitare duhet të dalin me një kandidat të përbashkët për ta sfiduar mazhorancën e Lëvizjes Vetëvendosje në garën për president.
Brenda kësaj partie nuk fshihet preferenca që kandidatura të jetë e kryetarit në largim, Ramush Haradinaj. Megjithatë, nga AAK bëhet e ditur se deri më tani nuk ka pasur bisedime konkrete me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për një kandidaturë të tillë.
“Ne nuk e kemi të fshehur, as sekret, qëllimin tonë që z. Haradinaj me qenë president por nuk është diskutuar, nuk ka qenë kurrë temë, e para çfarë duhet të diskutojmë ne është që a do ta sfidojmë këtë shumicë edhe me një kandidat tonin apo do të kalojmë si herën e kaluar pa e sfiduar qeverinë gjithë opozita bashkë, unë jam të sfidojmë”, tha Besnik Tahiri i AAK.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar se deri tani nuk ka marrë asnjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti apo nga presidentja Vjosa Osmani lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit. Por konfirmuan se një ftese të tillë do t’i përgjigjen pozitivisht.
AAK ka paralajmëruar gjithashtu se synon të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të partive opozitare, në funksion të koordinimit për këtë proces.
“Ka pasur një tentim nga zoti Haradinaj dhe ne si Aleancë të kemi një diskutim rreth kësaj teme, nuk ka ndodhur për shkak se ka qenë konstituuimi i Kuvendit, jam i bindur që në javët në vijim duhet të ulemi dhe të shohim a do të kemi edhe ne një kandidat apo do të përsëritet skenari i vitit të kaluar, i bllokadës, i kurtheve”, tha Besnik Tahiri.
PDK, LDK dhe AAK së bashku kanë 43 deputetë, mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për të cilin kërkohen 30 firma.
Zgjedhja e presidentit kërkon votat e dy të tretave të deputetëve në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë, me kushtin e kuorumit prej 80 deputetësh të pranishëm në sallë. (A2 Televizion)