Studiues, akademikë, shkrimtarë dhe personalitete të jetës publike nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera trajtuan dimensionin letrar, kulturor, politik dhe diplomatik të veprës së presidentit historik Ibrahim Rugova.
Në konferencën shkencore ndërkombëtare që u mbajt të enjten në Prishtinë, me organizim të Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë, Rugova u portretizua si një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.
“Rugova në shtratin kulturor kombëtar trashëgon mirësinë e Naimit, madje vetëtimën e lirikës së tij; po ashtu rebelimin e Gjergj Fishtës, madje bubullimën e epikës së tij, mirëpo njësohet më fort me Bogdanin si meditant dhe militant i lirisë kombëtare. Në kohën moderne, properëndimore, shfaqet si nxënës i Çabejt, si adhurues i diskursit të tij ditënor.”
Ndër angazhime të tjera pas studimeve në Prishtinë dhe Paris, Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë.
Përmes dhjetëra veprave që la mbrapa, Rugova u konsiderua si kritiku letrar i madh i letërsisë shqipe të shekullit XX. U veçua studimi i themeltë i veprës dhe figurës së Pjetër Bogdanit.
“Në më pak se dy dekada jete të ngjeshur hulumtuese ai arriti të bëhej personalitet i rëndësishëm i studimeve letrare në albanologji, në fushën e kritikës e të interpretimit letrar në përgjithësi në botën shqiptare.”
Në dy dekadat e fundit të jetës së tij, Rugova gjithë kapacitetin intelektual e investoi në politikë, në kundërshtim të sundimit serb dhe jugosllav në Kosovë.
Ai drejtoi nga themelimi Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë politike shqiptare në Kosovë, dhe nisi misionin për shkëputjen nga Serbia.
“Ai ndikoi që të shtoheshin zërat në metropolet e mëdha të botës të pranonin se ekzistenca e dy shteteve shqiptare në Ballkan nuk prishte ekuilibrat dhe nuk dhunonte paqen dhe sigurinë rajonale.”
Për shkak të udhëheqjes së tij, Rugova mori cilësimin si “Haveli i Ballkanit” apo “Gandi i Ballkanit”.
“Rugova tejkaloi kufijtë e një lideri të zakonshëm politik dhe u shndërrua në simbol të rezistencës paqësore shqiptare në Kosovë, të orientimit europian dhe të aspiratës për shtetësi. Ai nuk përfaqësonte vetëm një parti politike; madje vetë partia e tij politike nuk ishte një parti e vërtetë politike, por një front i përbashkët rezistence dhe nuk përfaqësonte një strategji momentale, por mishëronte idenë e Kosovës demokratike dhe të integruar në Perëndim.”
Në zgjedhjet e organizuara nga vetë shqiptarët, Rugova u zgjodh president i Kosovës në vitin 1992 dhe 1998. Pas luftës, ai u zgjodh sërish president në vitet 2002 dhe 2004.
Rugova mbylli sytë përgjithmonë në vitin 2006, ndërsa konsiderohet si ati themeltar i shtetit të Kosovës, të cilin nuk arriti ta përjetonte.
Për guximin dhe veprën e tij, ai është nderuar në Kosovë, Shqipëri dhe vende të ndryshme të botës, si dhe nga institucione të larta ndërkombëtare. (A2 Televizion)