
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar me presidentin e Listës Serbe, Zlatan Elek, pas kundërshtimit të kësaj partie ndaj procesit të uljes graduale të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas KFOR-it, palët diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe zbatimin e procesit të paralajmëruar për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it u tha përfaqësuesve të Listës Serbe se procesi i optimizimit është nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Ai theksoi se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe do të jetë i bazuar në kushtet në terren, ndërsa trupat mund të rikthehen nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i tha se do të mbetet i pajisur dhe i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant. (A2 Televizion)