Raketa mbi godinat e banimit, 10 viktima në Krivi Rih, Ukraina: Vijojmë avancimin në lindje

Nga A2 CNN
13 Qershor 2023, 15:25 | Bota
Raketa mbi godinat e banimit, 10 viktima në Krivi Rih, Ukraina:

Pallate në flakë, dhjetëra automjete të djegura dhe shkatërrim masiv. Janë pamjet që vijnë nga qyteti ukrainas i Kryvyi Rih, i shenjëstruar nga ai që Kievi e quajti sulm masiv me raketa. Të paktën 10 persona konfirmohen të jenë vrarë si pasojë e sulmit që goditi gjatë natës, qytetin e lindjes së presidentit Zelensky. Autoritetet bënë me dije se mbi 28 të tjera kanë mbetur të plagosur, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e të mbijetuarve vijon.

 “U zgjova nga shpërthimi i parë, i cili ishte i dobët dhe dola menjëherë në ballkon. Më pas i dyti gjëmoi mbi kokën time dhe pashë teksa binin copëza objektesh të nxehta. Hyrja e parë dhe e dytë e godinës ishin përfshirë nga flakët”, thotë Ihor Lavrenenko.

Gjithashtu, në qytetin e Harkiv, godina banimi u shënjestruan nga një sulm me dron gjatë natës. Sirenat e alarmit ranë edhe në rajonet e Dnipropetrovsk, Donetsk dhe Poltava. Presidenti Volodimir Zelensky tha se Moska po e vijonte luftën kundër njerëzve të thjeshtë dhe u zotua se autorët do të mbanin përgjegjësi për çdo raketë të hedhur.

Në një videomesazh të publikuar më herët, Zelensky deklaroi se pavarësisht shiut dhe luftimeve të ashpra, forcat e tij po shënojnë progres në fushëbetejë duke i shkaktuar humbje të rëndësishme armikut.

“Betejat janë të ashpra, por ne po avancojmë dhe kjo është thelbësore. Humbjet që po pëson armiku janë pikërisht ato që nevojiten”, u shpreh Zelensky.

Një gjeneral i lartë ushtarak rus, raportohet të jetë vrarë në Ukrainë, sipas blogerit ushtarak pro-Kremlimit, Yuri Kotenok. Ai thotë se Maj Gen Sergei Goryachev kishte humbur jetën në një sulm me raketë. Lajmi nuk është konfirmuar nga burime zyrtare, por nëse kjo do të ishte e vërtetë, Goryachev, do të ishte i pari gjeneral rus, i vrarë në Ukrainë gjatë këtij viti.

Zhvillimi vjen, teksa Kievi besohet të ketë nisur kundërofensivën e paralajmëruar. Pas më shumë se një jave mungesë informacioni, Ukraina tha të hënën se kishte çliruar 7 vendbanime deri më tani përfshirë fshatin e Makarivka në Donjetsk. Moska sakaq, publikon pamjet ku thotë se shfaqen mjete të shkatërruara ushtarake të perëndimit, përfshirë tanke gjermane Leopard. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos