
Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kreut të PD-së së Mallakastrës Agron Kapllanaj. Nga Patosi, ku ndodhej në ceremoninë e 31-vjetorin e krijimit të degës së PD, Berisha u bëri thirrje demokratëve që të ndahen nga këta të cilët ai i quajti gjakpirës.
“Edi Rama e Lulzim Brava janë në garë sesi të shtypin më shumë votën e lirë dhe liritë tuaja. Me cilin je. Me Lul Bravën që ka shitur selinë për të ndërtuar pallate me Ramën e Veliajn dhe mbyll dyert e nuk lejon demokratët. Me kë je me Pallat Kapllanin që fiton dhjetëra miliona euro dhe pastaj vjen e prish shtëpitë e njerëzve të varfër së bashku me Lulzim Bashën. Këta janë gjakpirës, çdo pasuri e kanë vendosur mbi gjakun tuaj. Janë hajdutër asgjë më shumë. Çfarë na lidh ne me ta. Pallat Kapllani ti je një turp që duhet të largohesh menjëherë nga PD”.
Duke e konsideruar jetike betejën kundër korrupsionit për të ardhmen e vendit, Berisha i dërgoi edhe një mesazh ambasadores Yuri Kim. Ai i bëri apel që të mos inkurajojë prokurimet publike, sepse ato janë korruptive, por të këmbëngulë te tenderat e hapur.
“Ambasadores Yuri Kim do t’i them dy fjalë. Ne këtu jemi pro amerikanë mirëpresim investitorët amerikanë, por kompania me e fuqishme që ka punuar në Shqipëri ishte Bechtel që ndërtoi një nga projektet më kryesore të PD e qeverisë së saj. Fitoi rrugën e Kombit me tender ndërkombëtar të shpallur në gazeta e Londrës ku morën pjesë 7 kompani gjigante botërore. Zonjë në emër të shqiptarëve mos inkurajoni prokurime direkte në këtë vend, se pavarësisht nga vendi që vijnë, prokurimet direket janë korruptive, prandaj nëse jeni e interesuar në luftën e korrupsionit insistoni tender të hapur, e njëjta gjë them për kompaninë që ka marrë termocentralin. Fatura është 120 mln euro por dini ju sa ka kushtuar 115 milionë euro e kuptoni çpo bëhet këtu. Dmth më shtrenjtë konvertimi në gaz sesa i gjithë hidrocentrali dhe kjo pa tender. Imun ndaj korrupsionit nuk është askush, nuk mjafton shtetësia, po procedura e zbatimi i ligjit për mos përhapjen e korrupsionit këto janë rezultat i shkatërrimt të sistemit të drejtësisë. Për një proces të drejtë duhet të kesh gjykatë të ndershëm”.
Gjatë fjalës së tij Berisha akuzoi qeverinë edhe për shpërthimet në Patoz Marinzë dhe heqjen e rentës minerare.
“Këto 8 vite janë regresi, nafta nga një faktor pasurimi u shndërrua në faktor fatkeqësie për ju të gjithë i kemi parasysh shpërthimet në Patoz Marinzë, shkatërrimet që sollën ato. Por shkatërrime më të mëdha sollën në shëndetin e njerëzve. Qëndrimi ishte armiqësor, çnjerëzor, jo vetëm që qeveria nuk qëndroi në anën tuaj por bëri gjithçka ta mbyllte problemin pa dëmshpërblime, bëri gjithçka të falsifikonte analizat që tregonin lëndë toksike të dëmshme për shëndetin e banorëve dhe të fshihte autorët e vërtetë vetëm se ishin miq të kreut të Meduzës. Prapa kompanisë qëndronte Soros, dhe një seri raportesh nga mediat u publikuan, por qeveria injoroi çdo gjë dhe së fundi në një veprim absolutisht antiqytetar e antipopullor hoqi rentën. Renta është detyrim ndërkombëtar. Shqipëria u anëtarësua në një organizatë që detyron kompanitë e mëdha të naftës e minerare që të jenë sociale të kujdesen për komunitetin e të investojnë dhe detyron qeveritë që një pjesë të mirë të rentës tua lënë qeveritarëve vendorë i tillë ishte ligji që bëmë ne. Po kush përfitoi? Të gjitha shkuan në xhepat e miliarderëve. Kjo qeveria ndan me ta paratë se rentën nuk mund ta hiqte kurrë se është për qytetarët. Tani po çmontojnë në vend të investonin po shndërrojnë në skrap rafinerinë pasi vodhën qindra miliona euro”.
Për të gjitha këto Berisha kërkoi bashkimin e demokratëve për të hedhur poshtë diktaturën e drogës dhe krimit siç e cilësoi ai.
“Sot ky përvjetor është një kushtrim i madh për çdo demokrat që nga ata që e themeluan deri tek anëtarët e rinj. Të bashkohemi në një mision të madh për të hedhur diktaturën e drogës e krimit që është instaluar në Shqipëri. Sot Edi Rama ka pushtet 10% më shumë seç kishte Ramiz Alia në ’91. Rama tejkalon baballarët e tij merr peng opozitën me dosje krimi e afera korruptive. Kjo është një mynxyrë për vendin, por thirrje e fuqishme ndërgjegjeje e çdo demokrati të ngrihemi në mision të madh të pamposhtur. Nuk e kemi të lehtë por kauza jonë është e drejtë dhe do të triumfojë se ne besojmë në këtë kauzë. Se ne jemi të angazhuar në revolucion paqësor që nuk ka forcë në botë që ta ndalë. Shqipëria këtë vit u rendit 6 vende më poshtë në luftën kundër korrupsionit se qeveritarët vetëm vjedhin, nuk lejojnë zgjedhje, morën peng dhe opozitën”. (A2 Televizion)