Rama dhe Berisha me “podcast”, ekspertët: Personalizim i fushatës, shmanget kontrolli mbi përmbajtjen 

Nga A2 CNN
4 Prill 2023, 17:31 | Politikë
Rama dhe Berisha me “podcast”, ekspertët: Personalizim i

Edi Rama dhe Sali Berisha kanë zbuluar “podcast”-in, një format të ri komunikimi për të shkuar te elektorati i tyre gjatë fushatës, duke shmangur filtrin ndërmjetës të medias tradicionale. Ish-kryeministri, me narrativë do të tregojë historinë dhe përjetimet personale. Kreu i qeverisë së majtë, përveçse do të flasë në vetë të parë, do të marrë edhe rolin e të intervistuarit.

Kjo platformë është parë me skepticizëm nga deputeti socialist Pandeli Majko në Komisionin e Ligjeve, i cili ngriti shqetësimin nëse përmbatja e “podcast”-eve kontrollohet nga AMA.

Ekspertët e komunikimit Aleksandër Çipa dhe Erlis Çela kanë këndvështrime të ndryshme për strategjinë e re të komunikimit të zgjedhur nga dy aktorët kryesorë të politikës në vend.

“Është një mjet pa kosto të mëdha për të zhvilluar betejën elektorale”, thotë Çipa.

“Është një lëvizje që nuk i shërben transparencës dhe informimit të publikut. Kryeministri i një vendi nuk mund të bëhet kurrsesi gazetar”, thekson Çela.

Çipa dhe Çela bien dakord që Rama është më i avantazhuar nga “podcast”-i, por ata listojnë arsyet se pse kryeministri ka zgjedhur këtë format duke shmangur mediat tradicionale.

“Në këtë mënyrë mund të përcjellë propagandën e tij gjatë fushatës. Dhe elemementi i dytë është të shmangë dhe ta zhvendosë diskutimin nga hallet që shqetësojnë qytetarët tek sipërfaqësorja, imazhi dhe shoë”, deklaroi Çela.

Çipa shprehet: “Rama imiton në mënyrë të fshehtë liderë të tjerë perëndimor, por duke mos tradhëtuar vetveten”.

Ndërsa qasjen e ish-kryeministrit Berisha ndaj komunikimit narrativ, dy eskpertët e komunikimit e shohin me rezultate të ndryshme finale.

“Unë nuk e di se pse zoti Berisha është bërë pjesë e kësaj loje që në një farë mënyre po përpiqet të futet në garë me kundërshtarin me mjetet e kundërshtarit”, thotë Çela.

“Duke përdorur pathosin dhe logosin e vet, ia del të ndërtojë një komunikim të ndjeshëm ndaj fansave të tij”, shprehet Çipa.

Më 14 maj, përveçse rezultatit të zgjedhjeve lokale, do të bëhet edhe bilanci i dy “podcast”-eve. Çipa bën parashikimin e tij: “Berisha do të fitojë më shumë fansa, ndërsa Rama do të ketë përmbajtje”.

Rama ka shprehur gatishmërinë për të ftuar në “podcast”- in e tij edhe kundërshtarët politik, ndërsa nga ana tjetër Berisha është i gatshëm që të përballet me kundërshtarin politik. A do të mundet që “podcast”-i të bashkojë në përballje Ramën dhe Berishën, një dilemë që vetëm dy politikanët mund t’i japin përgjigje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos